<

Fillo me një ide – Fito një internship

Dëshirojmë t'iu informojmë mbi projektin “Fillo me një ide – Fito një internship në Bashkinë Tiranë”, projekt i miratuar me "Vendimin nr.143 datë 23.12.2022 të Këshillit Bashkiak" , sipas "Udhëzuesit operacional".

Qëllimi i këtij projekti është që të rinj, në fillim të karrierës së tyre profesionale, të fitojnë një eksperiencë pune në Bashkinë Tiranë, duke u ofruar mundësinë për të zhvilluar aftësitë e tyre analitike dhe kërkimore përmes konkurrimit me një koncept – ide për projekt ose me një koncept – ide për studim, në një nga fushat e veprimtarisë së Bashkisë Tiranë. Të rinjve u ofrohet mundësia të përgatisin dhe dorëzojnë një propozim të plotë teknik dhe financiar të projektit si dhe të përfundojnë studimin gjatë internshipit, duke bashkëpunuar nga afër me stafin e Bashkisë për një periudhe 3 mujore praktike pune. Projekti/studimi duhet të konceptohet për t’u zbatuar brenda territorit të Bashkisë Tiranë.

Në përfundim të internshipit, të rinjtë do të përfitojnë:

  • Praktikë pune 3 mujore në Bashkinë Tiranë
  • Aftësi në hartim dhe zhvillim projekti, kërkim shkencor, analiza e të dhënave, të folurit në publik, prezantim, komunikim efektiv, punë në grup
  • Trajnim mbi “Metoda të Kërkimit Shkencor”
  • Trajnim mbi “Planifikim dhe Menaxhim Projekti”
  • Një rrjet kontaktesh me profesionistë të fushës;
  • Një çmim për punimin e dorëzuar, me vlerë 91.000 Lekë bruto/ personi.
  • Certifikatë pjesmarrjeje.

Fushat për propozimin e një koncept ideje për projekt ose për studim janë:

  • Infrastruktura dhe Teknologjia
  • Energjia, Uji dhe Mbetjet Urbane
  • Mobiliteti
  • Qytetarët dhe Stili i Jetesës
  • Smart City
  • Mjedisi
  • Qeverisja dhe Edukimi
  • Zhvillimi Ekonomik Vendor
  • Zhvillimi Urban
  • Qeverisja Vendore

Aplikimet hapen në datën 11.05.2023 dhe kryhen online.

Për informacion të mëtejshëm rreth mënyrës së aplikimit, aplikantët mund të vizitojnë faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë në linkun: https://tirana.al/faqe/fillo-me-nje-ide-fito-nje-internship apo mund të dërgojnë një kërkesë për informacion në adresën elektronike: [email protected]