E-LE.G.A.N.T.S. në UART
Ditën e Hënë, datë 9 Shtator 2024, në Tiranë, u mbajt me sukses takimi mes partnerëve të projektit Erasmus+ “E-Learning Gamified and Networked Training for Startupper”, me akronimin E-LE.G.A.N.T.S., financuar nga Erasmus+. Takimi u organizua nga Universiteti i Arteve dhe u zhvillua në Sallën “Ibrahim Madhi”, në godinën kryesore të Universitetit.
Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e deritanishme, duke u drejtuar veçanërisht tek programet e këshillimit të studentëve, paraqitja e planeve përfundimtare të biznesit nga grupet e studentëve, veprimet promovuese të projektit, si dhe shpërndarja e rezultateve dhe synimeve për muajin pasardhës në lidhje me të gjitha paketat e punës së projektit.
Në këtë takim pune morrën pjesë përfaqësues nga secila organizatë partnere. Konkretisht, partnerët e projektit janë “Universita Telematica IUL” nga Italia, “Shkolla e Studimeve të Avancuara Sociale” nga Sllovenia, “Ionian University” nga Greqia, “Universiteti i Arteve” dhe Universiteti i Shkodres “Luigj Gurakuqi” nga Shqipëria, Universiteti “Haxhi Zeka” dhe “Universiteti Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji” nga Kosova, ndërsa nga Mali i Zi “Universiteti Mediteran” dhe “Universiteti i Malit të Zi”.