Praktikë pune, GKA
Të dashur studentë të UART,
Më poshtë ju ftojmë të gjeni gjeni Termat e Referencës për Praktikë në Sektorin e Organizimit të Ekspozitave në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Titulli i pozicionit: Vëzhgues
Kohëzgjatja: 4 deri në 8 javë
Supervizor: Përgjegjësi i Ekspozitave dhe specialisti i Edukimit
Galeria Kombëtare e Arteve në kuadër të Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Paktin për Universitetin dhe Programit të Edukimit do të ofrojë praktika për studentët e Universitetit të Arteve për vitin 2019. Përzgjedhja e tyre do të bëhet nga dy koordinatorët në GKA dhe Universitetin e Arteve që janë angazhuar për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe plotësimin e detyrimeve të dy institucioneve. Qëllimi i pozicionit të vëzhguesit është sigurimi dhe mbrojtja e veprave të artit në salla nga dëmtimet me dashje apo pa dashje gjatë orarit të vizitave. Ky pozicion nuk ka nevojë për eksperiencë pune, prandaj edhe studentët e viteve të para janë të ftuar të aplikojnë.
Përgjegjësitë e vëzhguesit:
- Siguron mbrojtjen e veprave të artit në salla nga dëmtimet me dashje apo pa dashje gjatë orarit të vizitave, apo në ato raste kur vëzhguesi gjendet në punë;
- Kontrollon dhe ndërhyn, po të jetë nevoja, kur konstaton çrregullime ose zhurmë në sallën e caktuar, apo në sallat e ndryshme të GKA, duke garantuar miradministrimin dhe mbrojtjen e veprave;
- Mban nën vëzhgim vizitorët për të shmangur dëme, si të qëllimshme ashtu dhe aksidentale, për objektet e ekspozuara në GKA;
- Kujdeset për veprat e ekspozuara duke pastruar xhamat, kornizat, podet, sipas udhëzimeve të Sektorit të Konservim – Restaurimit;
- Pastron dhe mirëmban sipas grafikut sallën e ekspozimit në ngarkim dhe vendin e punës;
- Oriention publikun rreth ekspozitave duke dhënë një informacion të shkurtër shpjegues në lidhje me pyetjet që ata mund të kenë;
- Bashkëpunon ngushtë me anëtarë të tjerë të stafit për të siguruar efektivitetin e shërbimeve;
- Paraqet një imazh profesional në përputhje me standardet e vendosura duke zbatuar në të gjitha rastet Kodin e Etikës Profesionale në vendin e punës dhe gjatë zbatimit të detyrës.
Oraret:
Ky është një pozicion part-time, pra vëzhguesit i kërkohet të punojë vetëm 4 orë në ditë. Orari dakordësohet me Përgjegjësin e Organizimit të Ekspozitave.
Përfitimet e studentit:
- Eksperiencë pune në Galerinë Kombëtare të Arteve;
- njohja me veprat e artit, koleksionit permanent dhe ekspozitave të përkohshme;
- mundësia për të marrë pjesë në aktivitetet që organizohen në Galeri krahas ekspozitave;
- miqësimi me studentët dhe punëtorët e tjerë.
Në përfundim të praktikës studentët do të pajisen nga Galeria Kombëtare e Arteve me një vërtetim në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Praktika përkthehet në kredite – 30 orë punë janë të barazvlefshme me 2 kredite. Studentët nuk mund të kryejnë më pak se 30 orë pune për t’u pajisur me kreditet.
Studentët duhet të plotësojnë një raport narrativ në përfundim të praktikës. Ju lutemi të na dërgoni një CV ose biografi të shkurtër në adresat: [email protected] dhe [email protected].
Termat e Referencës (pdf)